Pasi u thirr disa herë në SPAK dhe madje iu kontrollua edhe shtëpia, Erion Veliajt duket se i është kthyer qetësia. Në vend që të tregohej më i kujdesshëm me financat publike, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vijuar normalisht me tenderat e dyshimtë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këtë herë, bëhet fjalë për tenderin me objekt “Blerje Shërbim të Printimit”, një prokurim me vlerë marramendëse që ngre shumë pikëpyetje.
Ky tender u zhvillua me procedurë të hapur, mbi kufirin e lartë monetar, me një fond limit prej 29,162,200 lekësh të rinj pa TVSH (rreth 350 milionë lekë të vjetra me TVSH). Në fund, fitues u shpallën dy kompani:
Vlera fituese e tenderit ishte 28,705,000 lekë të rinj pa TVSH, ose 98.4% e fondit limit. Pra, diferenca mes ofertës fituese dhe fondit limit është pothuajse inekzistente! Me fjalë të tjera, duket se të gjithë e kanë ditur me saktësi se sa para duheshin vënë në dispozicion dhe nuk është lodhur askush për të dhënë një ofertë më të ulët.
Por nuk ndalet këtu. Në tender morën pjesë vetëm dy kompani, dhe për “rastësi”, vlerat e ofertave të tyre ishin pothuajse identike. Kjo mungesë konkurrence dhe ngjashmëria e ofertave rritin edhe më shumë dyshimet për një tender të paracaktuar dhe të manipuluar.
E gjithë kjo ndodh në një kohë kur SPAK, teorikisht, është duke hetuar korrupsionin në nivelet e larta të qeverisjes vendore. Por siç duket, githçka ka qenë një shfaqje e momentit, dhe tani ai është kthyer fuqishëm te biznesi i zakonshëm – ndarja e parave publike për klientelën e tij të besuar.
Nëse ky është “presioni” që SPAK po ushtron mbi Veliajn, atëherë qytetarët e Tiranës duhet të presin edhe shumë tendera të tjerë të dyshimtë. Sepse, siç duket, Erion Veliaj nuk ka ndërmend të ndalet – madje, tani që i është provuar se hetimet nuk e pengojnë aspak, ai mund të ndihet edhe më i lirë për të vijuar avazin e vjetër.