Drita e diellit rikthen humorin, energjinë dhe shëron sëmundjet tuaja

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 31.01.2025, 15:11

Ju mund të keni dëgjuar shpesh të kritikoheni nga prindërit nëse ‘qëndroni shumë gjatë në diell’, por në fakt shumë studiues thonë se drita e diellit është ‘një xhevahir’ për shëndetin dhe mirëqenien tuaj.

Rrezet ultraviolet të diellit thithen nga lëkura, sytë dhe gjëndrat e trurit të njeriut, duke shtuar nivelin e energjisë dhe rezistencës ndaj sëmundjeve, si dhe duke nxitur prodhimin e vitaminës D, shkruan rrjeti mjekësor GoodDoctor.

Vitamina D që prodhohet prej ekspozimit të trupit ndaj dritës, mbështet mirëqenien e kockave e të muskujve, rregullon presionin e gjakut, përmirëson sistemin imunitar, rregullon nivelin e sheqerit dhe mban trurin në funksion optimal.

Ajo mbështet gjithashtu shëndetin e kockave duke ndihmuar në absorbimin e kalciumit dhe parandalon sëmundje si osteoporoza e osteopenia.

Shumë njerëz kalojnë kohën brenda, në mjedise me pluhur dhe bakterie disa prej të cilave besohet se shkaktojnë asmën dhe simptoma alergjie.

Një studim ka zbuluar se drita e diellit vret bakteriet e ambjenteve të brendshme, dhe kjo do të thotë se perdet e dritaret duhet të mbahen gjithmonë hapur për të lejuar sa më shumë dritë dielli të hyjë.

Gjithashtu ajo luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e orës së brendshme biologjike të njeriut, pra të cikleve fizike mendore e të sjelljes.

Për shembull ekspertët rekomandojnë se kur qëndron në diell në mëngjes shanset janë të të zërë gjumi më herët në darkë. Kjo vjen prej rritjes së niveleve të melatoninës që kontrollon ciklet e gjumit të njeriut.

Studimet kanë treguar se vitamina D dhe ekspozimi ndaj rrezeve ultraviolet ka gjithashtu efekt ndaj infeksioneve, bakterieve e viruseve. Shekullin e kaluar spitalet në disa vende kanë pasur krevatë dielli për pacientët në tarracat e tyre, që çuditërisht u zhdukën me avancimin e mjeksisë moderne.

Shumë studime kanë treguar se ekspozimi ndaj dritës së diellit është i lidhur me reduktimin e masës trupore he humbjen në peshë.

Studiuesit besojnë se krijimi i vitaminës D shton oksidin nitrik në trup që ndikon në peshën tuaj.

Prandaj shumë prej tyre rekomandojnë qëndrimin e përditshëm në diell, qoftë edhe për disa minuta.

Njerëzit me lëkurë në ngjyrë më të errët kanë më shumë melaninë, e cila shërben si një mbrojtës natyrale nga dëmet e diellit të fortë. Bazuar në ngjyrën e lëkurës së individëve ekspertët rekomandojnë qëndrim 10 deri në 15 minuta në diell për njerëzit me lëkurë të çelët, dhe 25 deri në 40 minuta çdo ditë për ata me lëkurë më të errët.

Në kohët e sotme të njeriut të rrethuar nga teknologjia, mund të jetë e vështirë të merret diell, prandaj rekomandohen mënyra të improvizuara për ta gjetur veten nën rrezet e diellit çdo ditë.

Ju mund të dilni jashtë gjatë një pushimi në punë ose në studim, të parkoni makinën më larg nga hyrja e dyqanit ose banesës për të marrë më shumë diell teksa ecni. Mund të hani ushqimin tuaj jashtë ose të stërviteni në natyre.

Drita e diellit është provuar që përmirëson humorin e njeriut dhe kjo luan rol të rëndësishëm në nivelin e tij të energjisë dhe të cikleve të gjumit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit