Naim Murseli mohon çdo akuzë për vrasjen e Liridona Ademajt, e tradhton personi që i shiti armën

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 31.01.2025, 13:28

Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj, Naim Murseli, është deklaruar “plotësisht i pafajshëm” për vrasjen e saj.

I akuzuari tjetër, Kushtrim Kokalla, u shpreh se nuk do të deklarohet pa u konsultuar me avokatin, ndërsa Granit Plava vendosi të mbrohet në heshtje. Nga ana tjetër, Tom Dodaj e pranoi fajësinë.

Dodaj u përfshi në aktakuzë pasi i kishte shitur armën Murselit, armë me të cilën më pas u krye vrasja e Liridona Ademajt.

Liridona Ademaj, 30 vjeç, u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Fillimisht, rasti u raportua si një “grabitje me pasoja fatale”, por dy ditë më vonë autoritetet arrestuan dy persona, mes tyre edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.

Gjatë seancës së 31 janarit, gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, deklaroi se nëse shpallen fajtorë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm, ndërsa Tom Dodaj rrezikon një dënim nga një deri në tetë vjet burgim. Gjykata njoftoi se pas pranimit të fajësisë, aktgjykimi për Dodajn do të shpallet në orën 12:40.

Seanca fillestare ishte planifikuar të mbahej më 27 janar, por u ndërpre menjëherë pas fillimit, pasi avokatët e dy të akuzuarve pretenduan se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Gjatë seancës së 31 janarit, Prokuroria lexoi aktakuzën ndaj katër të akuzuarve, ku pretendohet se Naim Murseli kishte premtuar një shumë prej 30,000 eurosh për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. Sipas Prokurorisë, ai madje e kishte mbajtur me njërën dorë për të mos lejuar që ajo t’i shmangej plumbit.

Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës

Duke folur për akuzat ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviq tha se ai e kishte planifikuar vrasjen nga mllefi dhe për hakmarrje, për shkak të “raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore” me viktimën.

Prokuroria theksoi se më 25 qershor 2022 ishte paguar një polisë sigurimi jetësor për Liridonën në vlerë prej 3,000,000 kruna suedeze, me qëllim që Murseli të përfitonte këtë shumë pas vdekjes së saj. Ai ia kishte shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla dhe i kishte kërkuar të gjente një mënyrë për ta realizuar. Më pas, sipas Prokurorisë, në këtë çështje ishte përfshirë edhe Granit Plava, dhe të tre kishin rënë dakord që Plava ta kryente vrasjen në këmbim të 30,000 eurove.

Tom Dodaj, sipas Prokurorisë, u përfshi në këtë rast më 29 nëntor 2023, kur Murseli bleu nga ai një pistoletë dhe 20 fishekë për 280 euro, armë që u përdor për vrasjen e Liridonës.

Vrasja, sipas Prokurorisë, ndodhi mes orës 19:00 dhe 20:18, në vendin e caktuar nga të akuzuarit, duke u inskenuar si një grabitje.

“Plava e qëlloi nga afër Liridonën”

Sipas aktakuzës, Granit Plava ishte ai që e qëlloi për vdekje Liridonën Ademaj.

Në momentin e ekzekutimit, Murseli po udhëtonte me viktimën dhe dy fëmijët e tyre. Kur arriti në vendin e caktuar, ai i bëri shenjë Plavës me dritat e makinës. Plava, i maskuar dhe i armatosur, doli para veturës, ndërsa Murseli ndaloi makinën dhe e mbajti me dorë Liridonën.

“Granit Plava, për kompensim në shumë prej 30,000 eurosh, nga një distancë e afërt, përmes dritares gjysmë të hapur të pasagjerit, e qëlloi në kokë Liridonën, në pjesën pas veshit të majtë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme”, thuhet në aktakuzë.

Gjatë bastisjeve në shtëpinë e Plavës, autoritetet gjetën një pistoletë Zastava dhe 19 fishekë, armë me të cilën, sipas Prokurorisë, u krye vrasja.

Kushtrim Kokalla, sipas aktakuzës, ishte personi që e kishte njohur Murselin me Plavën dhe e kishte ndihmuar në organizimin e vrasjes. Ai gjithashtu akuzohet se kishte dijeni për planin dhe nuk e kishte denoncuar.

Çfarë ndodhi në fillim të seancës?

Gjatë hapjes së seancës së 31 janarit, një avokat mbrojtës ankimoi se kishte pasur vështirësi në qasjen në materialet e çështjes. Gjyqtarja Fatime Dermaku njoftoi se më 30 janar kishte marrë një email nga avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj, ku ai pretendonte se nuk mund t’i hapte CD-të e dorëzuara nga Prokuroria.

Për të verifikuar pretendimin, në sallën e gjyqit u thirr një specialist i IT-së së gjykatës, i cili testoi CD-të dhe konstatoi se ato ishin të hapshme. Pas kësaj, gjyqtarja deklaroi se materialet ishin të rregullta dhe se Prokuroria kishte përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për dorëzimin e tyre.

Më tej, gjatë seancës, Kushtrim Kokalla u shpreh se nuk i kuptonte të drejtat e tij, duke kërkuar konsultim me avokatin. Kur avokati ndërhyri, gjyqtarja e qortoi dhe i shqiptoi një vërejtje me shkrim, duke e paralajmëruar se herën tjetër do të gjobitej.

Mbrojtja e Naim Murselit reagoi ndaj këtij vendimi, duke e konsideruar të padrejtë. Si pasojë, avokati i tij, Shemsedin Piraj, u gjobit me 500 euro për prishje të rendit dhe qetësisë në gjykatë.

Në sallën e gjyqit më 31 janar ishin të pranishëm edhe babai dhe vëllai i Liridonës, ndërsa të akuzuarit u dërguan në gjykatore përmes hyrjeve të ndryshme.

Më 15 janar, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, theksoi se gjatë kohës që çifti jetonte në Suedi, ata kishin pasur probleme të vazhdueshme martesore dhe pronësore, të cilat çuan në planifikimin e vrasjes.

“Vetëm pas bashkëpunimit me autoritetet suedeze arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të kuptojmë motivin që e shtyu Naim Murselin ta vriste bashkëshorten e tij”, deklaroi Përlinçeviq.

Kryeprokurori Zejnullah Gashi e cilësoi vrasjen si një akt “dinak” dhe shprehu pritshmërinë për një dënim maksimal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit