Vitet e fundit, qytetarët shqiptarë po përballen me një rritje të vazhdueshme të kostove nga xhepi për blerjen e barnave. Kjo vjen si pasojë e nevojës në rritje për mjekime në një popullsi që po plaket, ndërkohë që fondet publike për rimbursimin e medikamenteve mbeten të pandryshuara.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 u importuan mbi 28,1 miliardë lekë (rreth 281 milionë euro) produkte farmaceutike. Ndërkohë, fondi për rimbursimin e barnave kishte një tavan prej vetëm 12 miliardë lekësh. Kjo do të thotë se shteti kompensoi 120 milionë euro, ndërsa qytetarët paguan nga të ardhurat e tyre rreth 160 milionë euro për medikamente.
Edhe pse importi i produkteve farmaceutike u rrit me 5% vitin e kaluar, fondi për rimbursimin e barnave për vitin 2024 është 1% më i ulët krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2024, fondi i rimbursimit mbulonte 42,6% të vlerës së importeve farmaceutike, nga 45% që mbulonte një vit më parë.
Në periudhën 2019-2024, importet e barnave janë rritur me 16%, por burime nga tregu tregojnë se nevojat e qytetarëve për produkte farmaceutike janë shumë më të larta se importet aktuale. Shqipëria, si një vend me nivel të lartë varfërie dhe me të ardhurat më të ulëta në Europë, ka vështirësi në sigurimin e aksesit në terapitë inovative.
Në konsultimin e fundit me Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i rekomandoi qeverisë të rrisë financimet publike për shëndetësinë dhe arsimin. Edhe Banka Botërore, në vlerësimet e saj, ka kërkuar investime më të mëdha në kapitalin human, përfshirë sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
Sipas anketës së fundit të "Security Metër", të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në gjashtë vende të rajonit, 24% e shqiptarëve janë shumë të shqetësuar për pamundësinë e tyre për të përballuar kostot e kujdesit mjekësor dhe barnave. Në krahasim, ky shqetësim ishte më i ulët në:
Bosnjë – 16%
Kosovë – 9%
Maqedoni e Veriut – 16%
Mali i Zi – 20%
Serbi – 20%
Në përgjithësi, 53% e qytetarëve në rajon janë të shqetësuar për pasigurinë financiare lidhur me shpenzimet shëndetësore, por shqiptarët ndihen më të prekur për shkak të të ardhurave të ulëta dhe nivelit të ulët të mbështetjes publike për rimbursimin e barnave.
Pacientët me sëmundje kronike dhe ata me sëmundje të rralla hasin vështirësi të mëdha, pasi shumica e terapive të nevojshme mungojnë në listat e rimbursimit dhe duhet të paguhen nga xhepi.
Në vitin 2024, shpenzimet për shëndetësinë arritën në 75,9 miliardë lekë, nga 77,9 miliardë lekë të parashikuara në aktin e dytë normativ. Megjithatë, rritja e buxhetit për shëndetësinë mbetet më e ulët se rritja e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore, ndërkohë që kërkesat për trajtime mjekësore po rriten çdo vit.