Sot ka nisur nisma e guximshme e bojkotit publik të supermarketeve në qytete të ndryshme të Malit të Zi në protestë ndaj rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Pas një nisme të ngjashme në Kroaci dhe Bosnie, qytetarët malazezë kanë mbështetur thirrjen e opozitës për të refuzuar marketet e kompanive të mëdha dhe fiksimin e çmimeve të ushqimeve.
Organizatorët thonë se çmimet janë shumë të larta dhe se komapnitë bien dakord me njëra-tjetrën duke zhvatur qytetarët dhe eliminuar efektin e rritjeve të vogla të rrogave e pensioneve.
Mediat malazeze shfaqnin pamje të supermarketeve në disa qytete ku shihej efekti i bojkotit qytetar.
Rrjeti TV Vijesti raporton se në kryeqytetin Podgoricë numri njerëzve në supermarkete ishte dukshëm i ulët, ndërsa në qytetet Nikšić e Bijelo Polje bojkoti ishte thuajse total.
"Është ende herët për të gjykuar. Njerëzit në supermarkete janë pak, disa dalin me çanta. Disa prej tyre nuk donin të dilnin para kamerave dhe thanë se po blenin vetëm artikuj bazë. Parkingu para dyqaneve të mëdha është i zbrazur”, raporton gazetarja e TV Vijesti.
Nisma e admirueshme e vendeve ballkanike pritet të japë efektet e saj duke u bërë të qartë kompanive të mëdha se publiku i bashkuar mund të përcaktojë sjelljen e tyre dhe jo anasjelltas.