Pas SHBA-së edhe Zvicra ndërpret fondet për Shqipërinë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.01.2025, 12:03

Zvicra do t'i japë fund financimit për programet e zhvillimit në Shqipëri, Bangladesh dhe Zambi dhe do të tërheqë kontributet e saj në organizatat ndërkombëtare, përfshirë UNAIDS.

Këshilli Federal i Zvicrës ka publikuar të mërkurën planin për të shkurtuar buxhetin e bashkëpunimit për zhvillim, pas një vendimi të Parlamentit që në dhjetor miratoi uljen e shumës prej 110 milionë frangash për vitin 2025, të akorduar për organizatat që ofrojnë ndihmë për vendet në vështirësi.

Sipas planit financiar për periudhën 2026-2028, janë parashikuar edhe 321 milionë franga kursime të tjera.

Këshilli Federal ka sqaruar se këto shkurtime nuk do të ndikojnë në ndihmën humanitare, promovimin e paqes dhe mbështetjen për Ukrainën, por shton se disa shtete, përfshirë Bangladeshin, Shqipërinë dhe Zambian, nuk do të përfitojnë më mbështetje deri në vitin 2028. Si rezultat, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) do të përfundojë programet e saj dypalëshe të zhvillimit me Shqipërinë, Bangladeshin dhe Zambinë deri në fund të vitit 2028.

Zvicra shpjegon se këto vendime janë marrë pas një vlerësimi të nevojave lokale, interesave diplomatike dhe ekonomike afatgjata, si dhe vlerës së shtuar të bashkëpunimit ndërkombëtar zviceran.

Këto masa janë kritikuar nga Alliance Sud, një qendër zvicerane e ekspertizës për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikat e zhvillimit, që paralajmëron për pasojat negative për popullsinë në vendet e prekura. Sipas organizatës, nevojat në Bangladesh dhe Zambi nuk janë zvogëluar dhe programet që mbështeten në këto shtete nuk duhet të mbyllen pasi kjo shkakton një ndikim të rëndë.

Megjithatë, Këshilli Federal thekson se fokusi do të jetë në trajnimin profesional dhe sektorët në të cilët Zvicra ka ekspertizë të gjatë, pavarësisht kritikave për efektet e mundshme të shkurtimeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit