Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë po përballet me një situatë paradoksale: ndërsa stoku i apartamenteve të papërdorura po rritet ndjeshëm, ndërtuesit paralajmërojnë një tjetër rritje çmimesh. Sipas agjentëve imobiliarë, mijëra prona të reja qëndrojnë bosh, por kjo nuk ka ndikuar në uljen e çmimeve, përkundrazi, ato vijojnë të rriten.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se aktualisht në kryeqytet janë mbi 40 mijë prona të papërdorura, shumica e të cilave mbahen nga ndërtuesit ose investitorët, të cilët nuk i nxjerrin në qarkullim, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregun imobiliar. "Shumë prej këtyre apartamenteve blihen si investim, por nuk shfrytëzohen menjëherë. Pronarët i mbajnë me shpresën e rritjes së mëtejshme të çmimeve," thonë ekspertët.
Për të përmirësuar situatën dhe për të nxitur qarkullimin e këtyre pronave, specialistët sugjerojnë masa fiskale që do të detyronin pronarët t’i vinin në përdorim apo t’i nxirrnin në treg. Aktualisht, ndryshe nga vendet e tjera europiane që po aplikojnë taksa mbi pronat bosh, në Shqipëri një sistem i tillë mungon. "Nëse do të vendoseshin taksa specifike për pronat e papërdorura, mund të kishim një ofertë më të madhe në treg, duke ndikuar ndoshta edhe në stabilizimin e çmimeve," shprehen ekspertët.
Por pavarësisht këtij realiteti, ndërtuesit njoftojnë çuditërisht se çmimet e shitjes priten të rriten përsëri në vitin 2025. Në disa zona të Tiranës, si Bulevardi i Ri, ata parashikojnë një rritje prej të paktën 15%, kryesisht për shkak të kostove të larta të ndërtimit dhe taksave mbi ndikimin në infrastrukturë. Në zonat rezidenciale të reja te Komuna e Parisit, çmimi për metër katror ka arritur 3,500 euro në dhjetor 2024, një rritje me 25-35% krahasuar me vitin 2023, kur varionte nga 2,600 deri në 2,800 euro për metër katror.
Edhe zonat periferike nuk mbeten pas. Në Fresk, çmimet për apartamentet 1+1 kanë arritur 1,200 euro për metër katror. Në Astir, çmimet kanë shkuar në 1,300-1,400 euro për metër katror, ndërsa në Paskuqan janë rritur në 1,100 euro, nga 900-1,000 euro që ishin më parë. Tregu imobiliar në Tiranë vazhdon të ndjekë një logjikë të pazakontë: ndërtimet e reja shtohen, mijëra prona qëndrojnë bosh, por çmimet vazhdojnë të rriten. Në këtë situatë, qytetarët mbeten përballë sfidës gjithnjë e më të vështirë për të përballuar blerjen e një banese në kryeqytet.