Në zonën e Arapajt në Durrës, kanali kullues ndodhet në një gjendje alarmante për shkak të grumbujve të mbeturinave dhe mungesës së pastrimit të rregullt.
Pamjet e siguruara nga qytetarët që kanë denoncuar këtë problematikë, shkaktare për përmbytjet e vazhdueshme, tregojnë ujë të ndotur dhe plastika të grumbulluara.
Qytetarët akuzojnë kryebashkiaken Emiriana Sako se nuk po e kryen punën ashtu siç duhet, pasi kanali nuk pastrohet, bllokohet vazhdimisht nga mbetjet plastike, ashtu siç shihet në video, dhe kjo shkakton më pas përmbytje.
Ata thonë se kjo situatë është veçanërisht shqetësuese në ditët me reshje të dendura, pasi përmbytjet mund të jenë një rrezik real për banorët e zonës.
Reshjet e ditës se djeshme treguan më së miri papërgjegjshmërinë e Sakos për të bërë punën e saj ashtu siç duhet. Prej disa ditësh, meteorologët kishin parashikuar reshje intensive në Ultësirën Perëndimore, por kryebashkiakja nuk lëvizi as gishtin e vogël, për të pastruar kanalet e pusetat dhe shmangur përmbytjet me dëme miliona lekëshe.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për të pastruar kanalin dhe për të parandaluar përmbytjet, si dhe për të siguruar kushte më të mira për jetesën e qytetarëve në këtë zonë.