Në Durrës, situata e krijuar nga përmbytjet e ditës së djeshme, vijon të mbetet problematike.
Këtë të enjte, më e rënduar paraqitet situata në rrugët dytësore në zonën e Durrësit të Ri, Shkozetit, Gjykata e Apelit, pjesërisht Zona e Plazhit.
Në një numër të konsiderueshëm banesash dhe ambientesh publike ka prani të madhe uji dhe gjatë natës është bërë evakuimi i disa familjeve, të cilat janë akomoduar te Kavalishenca.
Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë llogaritet në rreth 40 Ha, ndërkohë që ka një rritje të lehtë të niveleve të lumenjve Ishëm dhe Erzen.
Në zonën e Shkozetit disa kanale kulluese kanë dalë nga shtrati dhe qarkullimi i automjeteve bëhet me vështirësi. Banorët e zonës thonë se kjo situatë përsëritet sa herë ka reshje shiu, por Bashkia Durrës nuk merr mundimin të marrë masa apo të pastrojë kanalet.