Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një tjetër video alarmante, ku protagonist është i njëjti hajdut që prej ditësh ka tmerruar banorët e zonës së Liqenit të Thatë në Tiranë.
Pamjet e fundit tregojnë momentin kur hajduti po 'projekton' grabitjen e rradhës, fillimisht duke u siguruar nëse ka persona të pranishëm në 'targetin' e tij. Fatmirësisht, këtë herë familjarët ndodheshin në shtëpi dhe kjo e detyroi të largohej "me stil" dhe duarbosh, pasi kuptoi prezencën e banorëve.
Qytetarja e shqetësuar e cila ka dërguar pamjet, denoncon në mesazhin e saj drejtuar redaksinë tonë faktin se grabitësi vijon të endet i lirë, ndërsa policia nuk ka ndërmarrë asnjë masë për arrestimin e tij.
"Mirëmbrëma JOQ! Ky hajduti endet i lirë dhe policia s'po bën asgjë. Jemi me panik. Dje tek Liqeni i Thatë. Është po i njëjti që keni publikuar. U largua pasi pa që ishim në shtëpi."
Banorët e zonës ndihen të pambrojtur dhe jetojnë në një situatë frike të vazhdueshme, ndërsa hajduti vijon të kërcënojë sigurinë e tyre. Kjo ngjarje është kthyer tashmë në një alarm publik, që kërkon ndërhyrjen urgjente të forcave të rendit për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit të reagojë sa më parë dhe të garantojë sigurinë e banorëve, duke arrestuar autorin që prej ditësh ka terrorizuar qytetarët.