Një tjetër tender i dyshimtë është dhënë nga qeveria shqiptare, kësaj here nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku. Bëhet fjalë për një kontratë të majme me vlerë 270 milionë lekë të vjetra me TVSH, e cila i është dhënë kompanisë DATA LOG, në pronësi të Sokol Sinanit, një emër i njohur për lidhjet e tij të ngushta me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet aktualisht në burg.
Tenderi me objekt "Mirëmbajtje database dhe licensa Oracle, për një periudhë 3-vjeçare" është shpallur nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Group sh.a (OSHEE Group sh.a). Buxheti limit i përcaktuar për këtë kontratë ka qenë 24,493,500 lekë të reja (afro 293 milionë lekë të vjetra me TVSH). Fituesi, DATA LOG, e ka fituar tenderin me një ofertë prej 22,505,040 lekë të reja (afro 270 milionë lekë të vjetra me TVSH), që përbën 91.87% të fondit limit.
Ajo që ngre dyshime të forta mbi transparencën dhe konkurrencën e këtij tenderi është fakti se në garë kanë marrë pjesë vetëm tre firma, nga të cilat dy nuk kanë dorëzuar asnjë dokument dhe asnjë ofertë, duke i hapur rrugën fitores automatike të DATA LOG. Një skemë e njohur kjo për të dhënë tendera me fitues të paracaktuar.
Sokol Sinani është një biznesmen i njohur në fushën e teknologjisë, i cili më herët ka qenë ortak i ngushtë i Ilir Beqajt në kompaninë INTECH +. Kjo kompani është përfshirë në skema të dyshimta tenderash, duke përfituar qindra milionë lekë nga kontratat e dhëna kryesisht nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Edhe pse Ilir Beqaj aktualisht ndodhet në burg, dyshohet se ai vijon të përfitojë nga tenderat shtetërorë përmes ish-partnerit të tij, Sokol Sinanit, i cili po siguron miliona nga fondet publike. Shumë burime aludojnë se pas Sinanit qëndron pikërisht Beqaj, duke e përdorur si "mashë" për të vazhduar tërheqjen e parave publike.
Dyshimet për manipulim shtohen ndjeshëm kur analizohet mënyra se si është zhvilluar gara. Dy nga tre pjesëmarrësit nuk dorëzuan asnjë dokument apo ofertë, duke krijuar terrenin e përsosur për një fitues të paracaktuar. Praktikisht, OSHEE i dha 270 milionë lekë një kompanie të lidhur me një ish-zyrtar të korruptuar, pa asnjë konkurrencë të vërtetë.
Nëse analizojmë përqindjen e fondit limit, fakti që oferta fituese është 91.87% e fondit të përcaktuar tregon qartë se tenderi është llogaritur paraprakisht për këtë fitues, një tjetër indikacion i një procesi të manipuluar.
Bazuar në të gjitha faktet e mësipërme, kemi të bëjmë me një tender të dyshimtë, i cili me shumë gjasa do të përfundojë duke i shërbyer interesave të Ilir Beqajt, edhe pse ky i fundit ndodhet pas hekurave. Lidhja e fituesit me ish-ministrin e arrestuar, mungesa e konkurrencës dhe rezultati i tenderit tregojnë qartë një skemë të përgatitur për të kanalizuar paratë publike te të njëjtët individë, përmes personave të tretë.
Ky rast shton edhe më shumë dyshimet për mënyrën se si shpërndahen fondet publike në Shqipëri, ku edhe ata që ndodhen në burg duket se kanë ende kontroll mbi financat e shtetit.