Rivlerësimi i Euros kthehet në rrezik të lartë për ekonominë

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 29.01.2025, 15:10

Nëse kursi i këmbimit rikthehet në nivelet e vitit 2022, kjo do të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe të ndjeshëm, veçanërisht në sektorin financiar, familjet dhe bizneset, vëren Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në konsultimin e fundit mbi situatën ekonomike të Shqipërisë.

FMN thekson se, edhe pse rreziku për një rivlerësim të euros është mesatar, nëse ky skenar realizohet, pasojat mund të jenë serioze. Në raportin e fundit, Fondi i kushton një vëmendje të veçantë zhvillimeve në kursin e këmbimit, duke nënvizuar rëndësinë e mbajtjes së një regjimi fleksibël.

Gjatë vitit 2022, euro u këmbye mesatarisht mbi 120 lekë, ndërsa në korrik të këtij viti ra për herë të parë nën 100 lekë. Sipas FMN-së, një kthesë e papritur e kursit të këmbimit në nivelin e vitit 2022 do të kishte ndikim negativ në sektorin financiar, bizneset dhe familjet, pasi do të çonte në rritjen e kredive me probleme. Kjo, për shkak të faktit se një pjesë e madhe e huave janë në valutë të huaj, duke ekspozuar huamarrësit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Fondi analizon se zhvlerësimi i euros është nxitur kryesisht nga rritja e prurjeve të valutës për shkak të turizmit, dërgesave të emigrantëve dhe investimeve të huaja. Megjithatë, ka pasur edhe periudha kur nënçmimi i euros është ndikuar nga faktorë jo-themelorë, përfshirë spekulimet në treg.

Pavarësisht luhatjeve, kursi real efektiv i këmbimit të Shqipërisë mbeti përgjithësisht i qëndrueshëm në 10 muajt e parë të vitit 2024, pas një vlerësimi prej 11% gjatë vitit 2023. Në dekadën e fundit, vlerësimi kumulativ ka qenë rreth 35%. FMN vëren se Shqipëria vazhdon të mbetet një destinacion konkurrues turistik, por paralajmëron se presionet për të ruajtur këtë avantazh në planin afatgjatë do të rriten, veçanërisht nëse rritja e pagave tejkalon rritjen e produktivitetit të punës.

Në vitin 2024, hyrjet financiare neto janë nxitur kryesisht nga flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të cilat përbëjnë rreth 7% të PBB-së. Sipas FMN-së, investimet e huaja janë të përqendruara kryesisht në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, por mund të rriten me ritme më të ngadalta ndërsa flukset e turizmit stabilizohen.

Banka e Shqipërisë ka intensifikuar ndërhyrjet në kursin e këmbimit gjatë vitit 2024, me një injektim total që arriti rreth 3% të PBB-së vitin e kaluar. FMN rekomandon që Banka e Shqipërisë të lejojë një përshtatje më fleksibël të kursit të këmbimit, duke ndërhyrë vetëm për të zbutur luhatjet e jashtëzakonshme dhe jo për të ndikuar në trendin afatgjatë të monedhës.

Analiza e Fondit konstaton se gjatë vitit 2024 ka pasur disa episode ku presionet për forcimin e lekut janë nxitur nga faktorë jo-themelorë. Në raste të tilla, ndërhyrjet në tregun valutor mund të shërbejnë për të thyer vrullin spekulativ, por FMN vlerëson se këto ndërhyrje duhet të jenë të kufizuara dhe të përdoren me kujdes për të shmangur shtrembërimin e tregut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit