Dëshmitarët përshkruanin me tmerr tragjedinë e të shtypurve nga turmat në festivalin e banjës në brigjet e lumit Ganges.
Dhjetra njerëz besohet se kanë humbur jetën në festivalin Kumbh Mela teksa turmat shkonin për banjën në një prej vendeve më të shenjta të besimit hindu.
Ngjarja e rëndë ndodhi teksa miliona njerëz raportohet se kishin ardhur në shtetin verior Uttar Pradesh për të bërë banjë ne vendin e shenjtë të bashkimit të rrjedhës së lumenjve Ganges e Iamuna.
“Rreth 40 trupa” ishin sjellë në morgun e spitalit pranë vendit të ngjarjes, raportonin burimet e policisë, duke shtuar se të tjerë vazhdonin të silleshin.
Sipas dëshmive të besimtarëve shtypja ndodhi kur turma të mëdha njerëzish erdhën në lumë për të bërë banjë, ndërsa të tjerë po flinin përtokë në brigjet e mbushura me njerëz.
Teksa turma lëvizte në drejtime të ndryshme, njerëzit nisën të shtyheshin dhe shumë u rrëzuan, duke shtyrë ndarjet e duke shkelur njëri-tjetrin, shkruan rrjeti The Guardian.
Pas ngjarjesh një numër trupash shiheshin të shtrirë pranë brigjeve të lumit.
Më shumë se 100 milionë njerëz pritet të marrin pjesë këtë vit në celebrimet e Kumbh Mela që mbahen për 45 ditë në Prayagraj, Uttar Pradesh. Festivali është promovuar gjerësisht nga kryeministri indian Narendra Modi, i cili më herët lavdëronte “turmat e pabesueshme” që merrnin pjesë në festival.
Sot Modi e quante incidentin “shumë të trishtë”.
Nga dje, zyrtarët panë që turmat ishin bërë shumë të mëdha dhe u dhanë njoftime me qendra zëri që të ardhurit të hynin shpejt në ujë, të zhyteshin dy herë e të largoheshin menjëherë, por kjo nuk arriti të evitonte tragjedinë.