Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni po hetohet për mbështetje krimi dhe korrupsioni pas lirimit të paparitur të një zyrtari të lartë të policisë libiane që kërkohej nga Gjykata Ndërkombëtare.
Osama Elmasry Njeem, i njohur gjithashtu si Osama Almasri Njeem, u lirua javën që shkoi pasi u mbajt disa ditë në ndalim sipas mandatit të Gjykatës Ndërkombëtare.
Kjo e fundit ka kërkuar shpjegime për lirimin e të kërkuarit me akuza krimesh kundër njerëzimit.
Në një video në rrjetet sociale Meloni njoftoi se po hetohet për mbështetje krimi e rryshfeti në lidhje me rastin e Osama Elmasry Njeem, por kjo nuk supozon fajësi.
“Nuk më bëjnë dot shantazh, nuk më frikësojnë dot, ndoshta prandaj nuk më pëlqejnë ata që nuk duan përmirësimin e Italisë. Qëndroj me kokën lart dhe pa frikë”, thoshte Meloni në video mes te tjerash.
Zhvillimi vjen pas rritjes së kritikave ndaj kryeministres pas lirimit të shtunën të militantit famëkeq libian i cili është kthyer tashmë në vendin e tij.
Libia ka disa marrëveshje partneriteti me Evropën për kontrollin e fluksit të emigracionit, edhe pse numri i të ardhurve nga brigjet e Afrikës veriore nuk njeh zvogëlim.
Meloni tha se do të kërkonte sqarime nga Gjykata Ndërkombëtare përse lëshoi urdhër arrestin vetëm pasi al-Masri, kishte udhëtuar në të paktën tre vende evropiane.
Italia ka lidhje të ngushta me qeverinë e njohur të Libisë të vendosur në Tripoli e cila përgjigjet për patrullimin e brigjeve për parandalimin e emigrantëve.
Por rregullisht në media kanë dalë histori makabre të emigracionit brutal e të organizuar në veri të Libisë, shpesh me përfshirjen e autoriteteve atje.