Një tjetër rast tronditës ka dalë në dritë lidhur me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Shkodër, duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin dhe integritetin e këtij institucioni që supozohet të mbrojë policët dhe qytetarët nga abuzimet. Një punonjës policie ka denoncuar përmes redaksisë së JOQ Albania veprimet skandaloze të një oficeri të AMP-së, Mauricio Sheldija, i cili dyshohet se ka nxjerrë për mediat sekrete hetimore dhe dëshminë e një kolegu të tij, duke e vënë atë dhe familjen e tij në rrezik të drejtpërdrejtë.
Sipas mesazhit të ardhur nga punonjësi i policisë, AMP, në vend që të mbrojë policët dhe të garantojë një sistem të drejtësisë transparente, është bërë pjesë e një zinxhiri të deformuar që favorizon krimin. Në rastin konkret, dëshmia e një polici është bërë publike pa miratim dhe në mënyrë të papërgjegjshme, duke shkelur rregullat e rrepta të konfidencialitetit. Kjo praktikë jo vetëm që minon luftën kundër krimit, por krijon pasiguri për vetë oficerët që përpiqen të bëjnë detyrën e tyre.
Në vijim mesazhi i mbërritur në redaksinë tonë:
Kjo ngjarje sjell në kujtesë rastin e policit Azbi Spahiu, i cili në rrethana të paqarta, u detyrua të hidhej nga lartësia e një pallati në Tiranë pasi u ndje i tradhëtuar nga eprorët.
Edhe në rastin e denoncuar së fundmi nga Shkodra, shfaqet e njëjta skemë dështimi institucional. Oficerët e policisë, në vend që të mbrohen nga AMP, që supozohet të garantojë drejtësinë dhe mbrojtjen e tyre, përballen me publikimin e dëshmive dhe sekreteve hetimore, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjarëve. Në të dyja rastet, policët që ndjekin ligjin dhe përballen me krimin, tradhtohen nga ata që ndodhen "më lart", duke u kthyer në viktima të sistemit.
Policët ankohen se çdo herë që denoncojnë raste të padrejtësive apo korrupsionit brenda radhëve të policisë, përballen me përjashtime nga puna, kërcënime dhe ndëshkime arbitrare. Ndërkohë, sipas tyre, oficerët e AMP-së mbeten të paprekshëm, duke krijuar një sistem pa përgjegjësi. Kjo situatë ka krijuar një klimë frike dhe mosbesimi që bllokon funksionimin e drejtë të policisë si institucion.
AMP, që ka për detyrë të mbikëqyrë dhe të garantojë drejtësi brenda strukturave policore, është kthyer në një institucion të perceptuar si i politizuar dhe i paaftë. Në rastin e Spahiut, ky institucion nuk arriti të hetojë presionin e ushtruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe as të ndihmojë një oficer që po përballej me një situatë të padrejtë.
Në rastin e Shkodrës, oficerët ankohen se AMP jo vetëm që nuk i mbështet, por edhe nxjerr publikisht dëshmitë e tyre, duke i vënë në rrezik të drejtpërdrejtë përballë kriminelëve dhe duke krijuar një klimë frike dhe mosbesimi.