Një punonjës policie është arrestuar në Gjirokastër pas një aksidenti rrugor, i cili dyshohet se është shkaktuar për shkak të drejtimit të mjetit në gjendje të dehur.
Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, pranë fshatit Ribaj, ku automjeti i drejtuar nga punonjësi i policisë, një automjet tip “Citroen”, u përplas me një makinë tjetër tip “Nissan”. Për pasojë, dy pasagjerët e mjetit të dytë, një 57-vjeçar dhe një 59-vjeçar, pësuan dëmtime të lehta. Pas ndihmës së parë të marrë në spitalin e Përmetit, ata u larguan për në banesë.
Gjatë kontrollit, drejtuesi i automjetit rezultoi pozitiv në testin e alkoolit, me një nivel prej 1.19 mg/l në matjen e parë dhe 1.21 mg/l në të dytën. Inspektori, me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Postën e Policisë Këlcyrë, u arrestua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për dyshimet e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe drejtimit të automjetit në gjendje të parregullt.
Materialet e rastit janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për vijimin e hetimeve.