Një numër shasie i padëmtuar në motorin e makinës së përdorur në atentatin ndaj Kristjan Markut ishte detaji që i dha policisë gjurmët për të zbuluar mjetin dhe për të arrestuar një 36-vjeçar, i akuzuar për përfshirje në krimin e ndodhur më 13 janar në Vlorë.
Ekzekutorët e 30-vjeçarit nga Mirdita kishin fshirë numrin e shasisë në trupin e makinës, por kishin lënë të paprekur numrin e stampuar në motor, edhe pse mjeti ishte djegur plotësisht në zonën e kripores në Vlorë, disa minuta pas ngjarjes.
Hetimet zbuluan se makina ishte futur në Shqipëri në vitin 2022 përmes doganës së Morinës nga një shtetas nga Kosova. Ky person, i marrë në pyetje, pranoi se makina i përkiste atij, por pretendoi se e kishte shitur pa asnjë deklaratë noteriale një personi në Kukës, me emrin Erald Cenaj.
Policia kriminale arriti të lokalizojë dhe ndalojë Erald Cenajn, duke e marrë në pyetje dhe duke e ballafaquar me shitësin kosovar. Cenaj pranoi se e kishte blerë makinën, por shtoi se më pas ia kishte shitur një personi tjetër në Shqipëri, sërish pa dokumente. Gjatë dëshmisë së tij, ai pretendoi se nuk e kujtonte identitetin e blerësit dhe as shumën për të cilën e kishte shitur makinën. Këto deklarata çuan në arrestimin e tij nga policia e Vlorës për akuzën e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”.
Aktualisht, Erald Cenaj është i vetmi i arrestuar në lidhje me atentatin mafioz ndaj Kristjan Markut. Viktima po udhëtonte në aksin Vlorë-Fier me një makinë me qira të marrë në Tiranë, çka tregon se lëvizjet e tij ishin vëzhguar nga autorët. Pistë kryesore e hetimit mbetet hakmarrja dhe konflikti mes fiseve Bardhi dhe Reçi në Mirditë.
Ky konflikt ka nisur më 26 mars 2023, kur u qëllua me armë drejt Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit, i vrarë në janar 2020 me snajper në qendër të Rrëshenit. Në shtator 2023, xhaxhai i Kristjan Markut, Martin Bardhi, u vra gjithashtu.