Ideja që qytete të tëra të zhyten nën ujë mund të duket si skenar i një filmi fantastiko-shkencor, por kjo mund të shndërrohet në realitet brenda 75 viteve të ardhshme, sipas një studimi të kryer nga Universiteti Teknologjik Nanyang (NTU) në Singapor. Studiuesit kanë parashikuar se, nëse emetimet e dioksidit të karbonit (CO2) vazhdojnë të rriten, nivelet globale të deteve mund të ngrihen deri në 1.9 metra deri në vitin 2100.
“Projekti prej 1.9 metrash thekson urgjencën për planifikimin e infrastrukturës kritike,” tha Dr. Benjamin Grandey, autori kryesor i studimit. Ai shtoi se rezultatet tregojnë rëndësinë e ndërmarrjes së masave për të ulur emetimet e gazeve serrë dhe për të zbutur pasojat klimatike.
Nëse ky skenar bëhet realitet, qytete dhe zona të tëra në mbarë botën rrezikojnë të zhyten nën ujë. Por çfarë ndodh me Shqipërinë? Studimi paralajmëron se e gjithë vija bregdetare e vendit konsiderohet një "vijë e kuqe" për shkak të rrezikut të përmbytjeve.
Zonat më të rrezikuara përfshijnë: Velipojën, Lezhën, Shëngjinin, Kune-Vainin, Patokun, Fushë Kuqen, Hamallajn, Durrësin dhe zonat përreth, Golemin, Divjakën, Karavastanë, Nartën, zonën historike të qytetit të Vlorës, Orikumin dhe Parkun Kombëtar të Butrintit. Këto zona kërkojnë vëmendje të menjëhershme dhe plane konkrete për t’u mbrojtur nga rritja e nivelit të detit.