Coca-Cola po tërheq pijet e saj në disa vende të Evropës pas zbulimit të niveleve të rrezikshme të kimikatit ‘klorat’, njoftojnë sot mediat perëndimore dhe prodhuesit.
Kompania shton se shishet dhe kanaçet me nivelin e lartë të substancës janë shpërndarë në Belgjikë, Francë, Gjermani, Luksemburg dhe Holandë që prej nëntorit.
Mes produkteve të dëmshme përfshihen pijet Coke, Fanta, Minute Maid, Sprite e Tropico, njoftonte dega belge e shpërndarjes e paketimit të Coca-Cola.
Klorati është një kimikat i rrezikshëm që vjen nga dezinfektuesit e klorit dhe është përdorur në procesimin e ujit dhe produkteve ushqimore.
Por ekspozimi ndaj niveleve të larta të tij shkakton probleme të tiroideve, veçanërisht te fëmijët e bebet.
Në një artikull të autoriteteve evropiane në 2015, thuhet se ekspozimi afatgjatë ndaj kloratit rrezikon shëndetin e fëmijëve, kryesisht atyre me defiçencë jodi.
Një zëdhënës i Coca-Cola tha për rrjetin BBC se “analizat e ekspertëve të pavarur thonë se rreziku ndaj konsumatorit është i ulët”.
Ndërsa masa e pijeve të përfshira është e madhe.
Niveli i lartë i kimikatit u zbulua gjatë testimeve në fabrikën e kompanisë në Ghent, në veri të Belgjikës, shkruan rrejti AFP, teksa shton se produktet e pashitura janë hequr tashmë nga raftet.
Zyrtarët nuk shpjegonin sesi kishte ndodhur keqllogaritja e kimikateve, por thonin se kompania e konsideron “prioritet cilësinë dhe sigurinë e produkteve të saj”.