Eliza e Henrietta Huszti ishin parë herën e fundit pranë urës së lumit Dee në fillim të muajit në qytetin skocez të Aberdeen, teksa policia ka thënë sot se kërkimet e tyre në lumë kanë përfunduar.
Tre javë pas kërkimeve të detajuara në lumë dhe portin e ankorimeve, zyrtarët thanë se po vijojnë hetimet në pista të tjera për ngjarjen e pashpjeguar që ka shokuar komunitetin.
Herën e fundit motrat ishin parë pranë urës Victoria pasditen e 6 janarit. Një mesazh teksti ishte dërguar nga celulari Henrietta për të zonjën e shtëpisë ku banonin motrat dhe më pas aparati ishte shkëputur nga rrjeti.
Zyrtarët thonë se nuk ka detaje që sugjerojnë aktivitet kriminal apo rrethana të dyshimta, dhe bëjnë apel për informacion.
Dy gratë përshkruhen si të racës së bardhë, me flokë brune dhe me origjinë nga Hungaria. Një nga teoritë e policisë është se ato kanë hyrë në ujë, prandaj dhe kryen kërkimet e gjera në lumin Dee.
Autoritetet shtonin: “Jemi në kontakt me familjarët e Eliza e Henrietta në Hungari dhe do të vazhdojmë t’i japim atyre mbështetje në këtë kohë të vështirë, si dhe do të bëjmë ç’është e mundur për të gjetur Eliza e Henrietta.”
Ata shtonin se motrat nuk i kishin thënë të afërmve se do të zhvendoseshin nga apartamenti i tyre. Vëllai i tyre Jozsef tha në një intervistë se ato kishin folur me nënën disa ditë para zhdukjes.
Ai tha: “Ne nuk dinim gjë që ato donin të largoheshin nga shtëpia e tyre, e çuditshme që nuk kishin përmendur kurrë diçka të tillë”.
Kërkimet vijojnë.