Zyrtarë të policisë njoftuan sot arrestimin e dy shtetasve në Gjirokastër, për kanosjen e një gruaje 40-vjeçare në lidhje me foto intime në rrjetet sociale.
Të ndaluarit, A. Xh., 45 vjeç, dhe A. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, i kërkonin shumën 2000 euro viktimës, në këmbim të fshirjes së disa fotografive intime të saj nga rrjeti social "TikTok".
Policia në Gjirokastër tha se shtetasit u arrestuan për veprat penale "Falsifikimi kompjuterik" dhe "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", ndërsa hetimet vijojnë.
Njoftimi i policisë:
'Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Xh., 45 vjeç dhe A. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprat penale "Falsifikimi kompjuterik" dhe "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", të kryera në bashkëpunim.', njofton policia.
Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dyshohet se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur nëpërmjet celularit, një 40-vjeçare, për dhënien e shumës 2000 euro, që të fshinin disa foto intime të saj, nga rrjeti social "Tik Tok".