Një prind ka denoncuar ditën e sotme kushtet e pediatrisë në qendrën spitalore Nënë Tereza në Tiranë, duke raportuar për mungesë të kushteve higjenike dhe trajtim neglizhent nga mjekët e infermierët.
Në imazhet e dërguara qytetarja tregon mure e priza të zhveshura ndërsa flet për pika uji që bien nga tavanet pranë fëmijëve që presin trajtim dhe papastërti në çdo cep. Më tej ajo shprehet se dhomat e pacientëve nuk kanë ngrohje në një kohë që një numër i madh fëmijësh i janë drejtuar spitalit prej virozave apo infeksionevve që kanë marrë në këtë periudhë janari.
Ajo denoncon gjithashtu edhe neglizhencën e stafit mjekësor, pasi sipas saj infermierët dhe mjekët përtojnë të bëjnë punën e tyre por merren me thashetheme në korridore e zyra.
Kjo situatë ngre shqetësime serioze për mungesën e kushteve bazike në institucionet shëndetësore, të cilat duhet të jenë të pajisura për të përballuar kushte atmosferike të ndryshme dhe për të siguruar një ambient të përshtatshëm për trajtimin mjekësor.
JOQ Albania i bën thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe autoriteteve përkatëse që të ndërhyjnë menjëherë për të përmirësuar shërbimin në Urgjencën e Pediatrisë. Prindërit e dëshpëruar nuk mund të përballojnë më indiferencën e institucioneve ndaj shëndetit të fëmijëve të tyre!
Denoncimi i plotë në redaksi:
"Do të isha shumë mirënjohëse nëse do të publikoni shqetësimin tim dhe të shumë nënave që ndodhemi të shtruar në Pediatrinë e Përgjithshme. Jemi shtruar këtu për shkak të virozave të stinës, siç dihet, shumë fëmijë janë të sëmurë dhe fëmijëve tanë u është përkeqësuar gjendja. Kushtet janë skandaloze, duke nisur nga papastërtia e spitalit dhe duke vazhduar me trajtimin e papërshtatshëm nga infermierët, mjekët dhe personeli tjetër. Fëmijëve iu vendosin serumet, por nuk vijnë t’i heqin, pasi janë të zënë duke biseduar mes tyre në zyrat e tyre. Kur kërkojmë ndihmë për fëmijët që kanë kriza apo të vjella, vijnë pas një ore ose nuk vijnë fare.
Një problem tjetër është mungesa e ngrohjes në dhoma. Fëmijët po i përkeqësojmë më shumë, pasi i ndërruam në kushte të ftohta dhe pa ngrohje. Kur i pyesim, na thonë se nuk ka ngrohje, pasi ajo nuk funksionon dhe janë të ngujuar nga politikat e mëparshme. Pyetja ime është: çfarë lloj spitali po krijojnë këta politikanë të qeverisë, kur kushte themelore si pastertia dhe një ambient të ngrohtë janë të domosdoshme për fëmijët dhe për trajtimin e tyre? Shpresoj që ky shqetësim të publikohet dhe të merren masa urgjente për të përmirësuar situatën."