Që prej datës, 4 janar të gjithë përdoruesit e aksit 'të florinjtë' Thumanë-Kashar janë të detyruar të paguajnë një tarifë prej 2.52 euro me TVSH për kalimin e mjeteve të vogla dhe më shumë për automjetet e përmasave më të mëdha.
Nëse në shumë vende të Europës, trarët me pagesa kanë lehtësira për përdoruesit e përditshëm, kamionë, autobusë, apo edhe individët me status të veçantë "invalidi", kjo gjë në Shqipëri nuk ekziston.
Ditën e sotme, një qytetar, familjar me statusin 'shoqërues i një invalidi' nuk është lejuar të kalojë në traun e Bashkim Ulajt pa bërë pagesën. Ai ka treguar se sot është nisur herët në mëngjes për të ardhur në Tiranë e blerë ilaçet e familjarit i cili ka makinën në emrin e tij si invalid.
Por kur ka mbërritur te trau, punëtorët e kompanisë “Gener 2” nuk e kanë lejuar të kalojë pasi në makinë nuk ka qenë edhe vetë invalidi. Qytetari ka lënë makinën te trau dhe nuk ka pranuar të kryejë pagesën pasi për të është absurde që familjari i sëmurë të ngrihet nga krevati e të jetë me të në makinë për të blerë ilaçet.
Ai thotë se kjo gjë po ndodh për herë të parë me rrugën "e artë" të Thumanë-Kasharës, pasi në traun e Rrugës së Kombit nuk i kanë kërkuar asnjëherë pagesë për të kaluar me makinën e familjarit.
Mesa duket Bashkim Ulaj nuk ka të ngopur, pasi sikur mos t'i mjaftojë vjedhja kolosale gjatë ndërtimit të kësaj rruge 'floriri' dhe kontrata koncesionare për 35 vite me qeverinë sipas të cilës parashikohet t'u vjelë shqiptarëve mbi 1.3 miliardë euro për 22 km rrugë, tani do të përfitojë edhe nga invalidët e familjarët e tyre.
Kjo rrugë është kritikuar shumë dhe vazhdon të kritikohet pasi shumë qytetarë e shohin projektin si një favor për interesat privatë, ndërsa kostoja e lartë e përdorimit i bën tarifat të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.