Prokuroria e Milanos ka kërkuar arrestimin e Stefano Boerit, arkitektit italian që ka hartuar planin urbanistik të Tiranës, i njohur gjithashtu edhe si mik i kryeministrit Edi Rama.
Përveç Boerit, urdhër-arreste janë kërkuar edhe për arkitektët Cino Zucchi dhe Pier Paolo Tamburelli, të cilët akuzohen për manipulim ofertash dhe rrezikojnë të vendosen në arrest shtëpie.
Hetimet lidhen me një konkurs ndërkombëtar për projektimin e Bibliotekës Evropiane të Informacionit dhe Kulturës (BEIC), një projekt prej 101 milionë eurosh që duhet të përfundojë deri në vitin 2026 në Milano.
Prokuroria pretendon se të tre arkitektët kanë përdorur metoda mashtruese për të manipuluar procesin e tenderimit.
Sipas hetuesve, Boeri akuzohet gjithashtu për deklarime të rreme dhe për mosdeklarimin e bashkëpunimeve të tij profesionale, ndër të cilat figurojnë edhe marrëdhënie financiare të dokumentuara me kompani të përfshira në tender.
Prokurorët vlerësojnë se ka një "rrezik konkret" që të dyshuarit, nëse lihen të lirë, mund të komunikojnë mes tyre për të ndikuar në provat apo dëshmitarët e procesit.
Këto akuza hedhin hije mbi emrin e Boerit, i cili është angazhuar në projekte të rëndësishme edhe në Shqipëri, duke përfshirë planifikimin urbanistik të kryeqytetit.