Një banor i zonës së Freskut ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një problem të furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas tij, banorët kanë mbetur pa furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm që nga mesi i dhjetorit 2024, pavarësisht pagesës së rregullt prej 20,000 lekësh.
Fillimisht, banorëve të zonës iu ishte thënë se problemi ishte shkaktuar nga një prishje e pompës së ujit, por më pas u deklarua se fajin e ka ndërmarrja e ujësjellësit. Aktualisht, banorët furnizohen me ujë vetëm për 10 minuta në ditë, një kohë që është krejtësisht e pamjaftueshme për përmbushjen e nevojave bazë të tyre.
Banorët ndihen të zhgënjyer dhe të braktisur, duke theksuar se është e papranueshme në vitin 2025, të përballen me mungesë të furnizimit të qëndrueshëm me ujë.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të zgjidhur këtë problem dhe të ofrojnë një shpjegim të qartë për arsyet e vonesës, si dhe një plan konkret për të garantuar furnizim të rregullt në të ardhmen.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ! Jam banor i zonës së Freskut, Rruga Mahmut Allushi, dhe po ju drejtohem për një problem serioz që ka filluar që prej mesit të muajit dhjetor të vitit 2024. Pavarësisht pagesës së rregullt prej 20,000 lekësh, ne si komunitet kemi mbetur pa furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm për një periudhë shumë të gjatë. Fillimisht na u tha se problemi lidhej me prishjen e pompës, ndërsa tani thuhet se fajin e ka ujësjellësi. Aktualisht, uji vjen vetëm për 10 minuta në ditë, gjë që është krejtësisht e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat tona bazë. Situata është bërë aq e rëndë saqë kemi frikë të futemi në shtëpitë tona, pasi as nuk mund të lahemi, as të lajmë enët dhe as të kryejmë detyrat e përditshme. Është e papranueshme që në vitin 2025, në një zonë të banuar të kryeqytetit, të jetohet në kushte të tilla. Ju lutem të ndërmerrni masa urgjente për të zgjidhur këtë problem dhe të na jepni një sqarim të plotë për shkakun e vonesës. Gjithashtu, kërkojmë një plan konkret për të garantuar furnizim të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë në të ardhmen. Në pritje të një përgjigje dhe një zgjidhjeje të shpejtë.”