Zyrtarët e shëndetësisë publike në SHBA janë udhëzuar të ndalojnë menjëherë bashkëpunimin me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Një memo e dërguar nga zyrtari i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), John Nkengasong, u ka kërkuar drejtuesve të lartë të agjencisë që të ndërpresin të gjitha bashkëpunimet me OBSH dhe të “presin udhëzime të mëtejshme”.
Ekspertët e shëndetit publik kanë shprehur shqetësim, duke thënë se kjo ndalesë e papritur do të pengojë përpjekjet për të hetuar dhe ndaluar shpërthimet e viruseve si Marburgu dhe mpox në Afrikë, si dhe kërcënimet globale në zhvillim, përfshirë gripin e shpendëve në SHBA.
Sipas Associated Press, memo-ja e CDC-së kërkon që të gjithë stafi i përfshirë në bashkëpunime me OBSH-në, qoftë nëpërmjet grupeve teknike, marrëveshjeve bashkëpunuese apo takimeve virtuale, të ndalojnë aktivitetet. Gjithashtu, ndalohet vizita e stafit të CDC-së në zyrat e OBSH-së.
Vendimi pason urdhrin ekzekutiv të presidentit Trump javën e kaluar për të filluar procesin e tërheqjes së SHBA-së nga OBSH. Megjithatë, ky proces kërkon miratimin e Kongresit dhe përmbushjen e detyrimeve financiare për vitin aktual. Gjithashtu, SHBA duhet të japë një njoftim njëvjeçar për largimin.
Një zyrtar shëndetësor amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi ndalesën, ndërsa një zëdhënës i OBSH-së i drejtoi pyetjet mbi largimin tek zyrtarët amerikanë. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shëndetësisë nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.