Braktisi makinën në aeroport për më shumë se 1 vit, pronari duhet të paguajë 200 mijë euro për parkimin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 27.01.2025, 21:32

Një Volkswagen Golf me targë të Hanoverit është lënë e braktisur për më shumë se një vit përpara terminalit të aeroportit Berlin-Brandenburg. Në këtë hapësirë, makinat zakonisht qëndrojnë për ndalesa të shkurtra: 10 minutat e para janë falas, 15 minuta kushtojnë pesë euro, ndërsa një orë plot 23 euro.

Sipas mediave, çmimi për një ditë parkimi shkon deri në 552 euro. Si pasojë, shuma totale e akumuluar për këtë makinë ka arritur mbi 200 mijë euro.

Sidoqoftë, ende nuk është identifikuar pronari i automjetit, dhe nuk është e qartë se kush do të mbajë përgjegjësinë për këtë rast të pazakontë.

Policia ka deklaruar se, pasi makina nuk ndodhet në rrugë publike, përgjegjësia bie mbi aeroportin Berlin-Brandenburg ose mbi kompaninë që menaxhon parkimin. Der Spiegel ka raportuar se makina ende ndodhet në parking, sipas një konfirmimi nga autoritetet e aeroportit.

Dyshohet se automjeti mund të jetë i vjedhur. Gazeta Bild njofton se ekziston një problem juridiksioni mbi këtë rast. Policia e Hanoverit nuk sheh arsye për të ndërhyrë, duke deklaruar se kjo është përgjegjësi e policisë së Berlinit ose e policisë federale.

Ndërkohë, administratori i parkingut ka konfirmuar për Berliner Zeitung se është në dijeni të çështjes dhe është në kontakt me pronarin e parkingut dhe autoritetet përkatëse.

Edhe nëse identifikohet pronari i makinës, kjo nuk do të thotë se ai duhet të paguajë detyrimisht shumën prej 200 mijë eurosh. Sipas kompanisë që menaxhon parkimin, kjo varet nga aftësia e debitorit për të mbuluar shpenzimet financiare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit