Koalicioni i djathtë që pritet të formohet në Austri mes Partisë së Lirisë dhe Partisë së Popullit është zotuar sot të shkurtojë “subvencionet e klimës”, për të reduktuar deficitin e madh të buxhetit.
Dy partitë janë ende në negocjata koalicioni dhe pritet të eliminojnë nxitjet e shumta e të kushtueshme për politikat e gjelbra, të nisura nga koalicioni i mëparshëm mes Partisë Austriake të Popullit dhe Partisë së Gjelbër siç ishin heqja e taksave për energjinë diellore apo “bonuset klimatike” për të dekurajuar përdorimin e karburanteve fosile.
Zyrtarët thanë se pas zgjedhjeve të shtatorit 2024 u bë i qartë deficiti buxhetor që këtë vit pritet të arrijë në €20 miliardë, më shumë se 4 përqind e prodhimit të brendshëm bruto të Austrisë.
“Bonusi i klimës” ishte një nxitje prej disa qindra euro për çdo rezident që hiqte dorë nga karburantet fosile duke përdorur makinë elektrike, edhe pse nuk dihen efektet e vërteta të mjeteve me bateri.
Kostoja e kësaj politike arrinte deri në €2 miliardë në vit dhe çuditërisht kalonte taksat e mbledhura për ndotjen e ambjentit që arrijnë në vetëm 800 milionë euro, shkruan BrusselSignal.
Taksa e dyoksidit të karbonit do të mbetet edhe me koalicionin e ri, por do të hiqet përjashtimi për panelet diellore dhe reduktimet e taksave për makinat elektrike.
Më parë makinat elektrike përjashtoheshin nga taksat që arrinin deri në 900 euro në vit, ndërsa raportohet se anulohet dhe një subvencion prej €0.50/për kilometër për njerëzit që shkojnë në punë me biçikletë.