Të huajt do të lejohen tashmë të zotërojnë aksione të pronave të patundshme në dy qytetet e shenjta të Arabisë Saudite, teksa vendi ka hapur investimet në kompanitë e pronave të Mekës e Medinës.
Sipas deklaratës së Autoritetit të Tregjeve Kapitale, nga sot të huajt lejohen të blejnë aksione apo instrumente kredie në kompanitë që zotërojnë tokat publike ose private.
Zhvillimi vjen teksa mbetet ende në fuqi ndalimi i pronësisë së drejtpërdrejtë për jo-muslimanët të pronave në këto qytete, edhe pse ato lakmohen si investime të besueshme dhe fitimprurëse.
Meka e Medina janë qendrat e grumbullimit të miliona pelegrinëve muslimanë në kohën e festivaleve të Haxhit dhe Umrah, të cilat sjellin të ardhura të rregullta për hotelet e shërbimet e tjera të mikpritjes.
Megjithë fushatën e gjerë globale dhe të brendshme të investimeve, Arabia Saudite mbetet sërish e varur nga të ardhurat e naftës prandaj po përpiqet të diversifikojë ekonominë, shkruan rrjeti MiddleEastEye.
Revista financiare Bloomberg flet për një rritje të interesit të të huajve për bonot e thesarit të Arabisë Saudite, teksa në vitin 2024 vendi shiti 17 miliardë dollarë bono për investitorët e huajt, duke u renditur e dyta vetëm pas Rumanisë mes tregjeve të vendeve në zhvillim, shkruajnë mediat.