Autoritetet suedeze janë ngjitur sot në bordin e një anijeje në pronësi bullgare për të hetuar në lidhje me dëmet e shkaktuara së fundmi ndaj kabllove të fibrave optike të komunikimeve në fund të detit Balltik.
Roja bregdetare suedeze ndoqi dhe interceptoi anijen bullgare pas dëmtimit të lidhjeve nënujojre të Suedisë e Letonisë.
Letonia kishte dërguar dje një luftanije për të hetuar në rajon ndërsa Suedia kishte hapur një hetim për “sabotim të rëndë”.
Mjeti detar bullgar ishte ndjekur nga roja bregdetare suedeze dhe tashmë "është ankoruar, ndërsa hetimet vazhdojnë," tha Alexander Kalchev, përfaqësues i kompanisë bullgare Navibulgar, e cila ka në pronësi Vezhen, duke mohuar rigorozisht sabotazhin.
Transportuesja me flamur të Maltës mbante fertilizues që transportonte nga Rusia drejt Amerikës Jugore ndërsa raportohej se më herët kishte hasur në "mot ekstrem" sipas dëshmive të ekuipazhit, ndësa Kalchev pranonte se mund të ketë pasur dëme aksidentale.
"Një nga spirancat e anijes ishte dëmtuar dhe kjo do të thotë se është tërhequr në fundin e detit”, tha ai.
Kabllot e dëmtuara i përkisnin televizionit shtetëror të Letonisë i cili tha në një deklaratë kishte "probleme në shërbimet e transmetimit të të dhënave", por kishte gjetur alternativa dhe shikuesit nuk do të ndikoheshin.
Politikanët e dy vendeve kanë bërë me faj Rusinë për nisjen e një lufte “hibride” kundër Perëndimit, teksa palët janë në anë të kundërta të konfliktit të rëndë në Ukrainë.