Numri i viktimave nga aksidentet në punë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP). Të dhënat tregojnë se, nga viti 2018 deri në vitin 2023, kanë humbur jetën 194 persona si pasojë e aksidenteve në vendin e punës.
Studimi thekson se Shqipëria përballet ende me sfida të mëdha në këtë drejtim. Për krahasim, në Bashkimin Evropian, 1 në 1000 aksidente në punë rezulton fatal (2019), ndërsa në Shqipëri 1 në 6 aksidente çon në humbjen e jetës së një punëtori.
Të dhënat historike tregojnë një rritje të dukshme të viktimave. Numri i viktimave ka kaluar nga 19 në vitin 2013 në 38 në vitin 2019. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale (IShPShSh), në vitin 2022 u regjistruan 32 vdekje, ndërsa në vitin 2023 numri ishte 30. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 218 raste aksidentesh në punë, nga të cilat 84.8% u vërtetuan si aksidente pune. Në total, janë klasifikuar dhe vërtetuar si aksident pune 168 raste, prej të cilave 30 me pasojë humbjen e jetës.
Sektorët më të rrezikuar për aksidentet në punë janë ai minerar, elektriciteti, ndërtimi, ndërmarrjet prodhuese dhe aksidentet rrugore. Këto të fundit konsiderohen si aksidente pune kur punëmarrësi ndodhet në përmbushje të detyrës ose në lëvizje nga shtëpia për në punë dhe anasjelltas, sipas përshkrimit të punës dhe me urdhër të punëdhënësit.
Aksidentet në vendin e punës mbeten një problematikë e vazhdueshme, me sektorët e ndërtimit dhe minerar që raportohen si më problematikët. Ekspertët sugjerojnë se parandalimi i këtyre ngjarjeve kërkon forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe autoriteteve kompetente për trajtimin dhe hetimin e çdo aksidenti.
Sistemi i mbrojtjes në vend, i bazuar në legjislacionin e punës, përfshin rregullime që mbrojnë të drejtat dhe obligimet e punëtorëve, si kufizimi i kohës së punës, pushimet dhe mbrojtja e grupeve të ndjeshme si të rinjtë dhe gratë. Megjithatë, ekspertët e shëndetit publik theksojnë nevojën për identifikimin e sektorëve të rrezikshëm dhe formulimin e politikave dhe programeve specifike për përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), çdo vit rreth tre milionë punëtorë humbin jetën në të gjithë botën për shkak të aksidenteve dhe sëmundjeve të lidhura me punën, një rritje prej më shumë se 5% krahasuar me vitin 2015.