Drejtoresha e një shkolle fillore në Florida, SHBA është arrestuar pasi ka mbajtur një festë “të mbushur me alkool dhe me rreth 100 nxënës” në shtëpinë e saj, njoftojnë autoritetet.
Elizabeth Hill-Brodigan, drejtoreshë e shkollës 'Roosevelt Elementary', dhe mësuesja Karly Anderson janë akuzuar tashmë nga policia vendase për alkoolin e shpërndarë ndaj të miturve.
Zyrtarët e policisë detajonin ndërhyrjen e tyre, sipas njoftimit për shtyp: "Më 19 janar policia e qytezës Cocoa Beach iu përgjigj një thirrjeje në lidhje me një festë shtëpie”.
"Në vendngjarje oficerët gjetën në rezidencë rreth 100 të rinj që mbanin bluza të ngjashme dhe po konsumonin alkool, i cili shpërndahej lirshëm nga frigoriferët e rezidencës.
“E zonja e shtëpisë u identifikua si drejtoresha e shkollës Roosevelt Elementary, Elizabeth Hill-Brodigan."
Zyrtarët shtonin se shumë nxënës po konsumonin alkool madje një prej tyre u trajtua për një “gjendje mjekësore të lidhur me alkoolin”.
Pas disa intervistave me adoleshentët dhe prindërit, zyrtarët kishin vendosur të ndalonin Hills-Brodigan dhe Anderson, për neglizhencë ndaj fëmijëve ndërsa një nga të rinjtë u ndalua për drejtim të automjetit nën influencën e alkoolit.
Pas publikimit të ngjarjes, një fqinje e zonës tha për rrjetin 7News Miami: "Është e tmerrshme kur shikon këto gjëra që ndodhin. Ti përpiqesh të rritësh mirë fëmijët kurse të tjerë kanë këtë influencë ndaj tyre."
Dy të ndaluarat janë liruar me kusht dhe kanë marrë pezullim deri në hetimin e çështjes nga policia.