Virozat që kanë përfshirë popullatën në ditët e fundit kanë shkaktuar një fluks të madh pacientësh në Qendrën Shëndetësore Kamëz.
Vetëm gjatë ditës së sotme, mbi 100 pacientë janë paraqitur për të kërkuar trajtim mjekësor, por kapacitetet e qendrës kanë qenë të pamjaftueshme për të përballuar këtë numër të lartë. Si pasojë, shumë prej pacientëve kanë marrë shërbim në kushte shumë të vështira, duke u trajtuar në korridore dhe duke mos pasur as mundësinë për t'u ulur dhe pritur radhën.
Një pacient ka denoncuar kushtet e vështira dhe ka theksuar se, për shkak të fluksit të shtuar, shumë prej tyre nuk kanë mundur të marrin shërbimin e duhur, disa të tjerë kanë qenë të detyruar të marrin serumin në korridor për shkak se nuk ka dhoma e të tjerë kanë pritur me orë të tëra pa pasur vend për t’u ulur.
Ai thotë se qendra, që duhet të ofrojë shërbime për qytetarët e Kamzës dhe zonave përreth, nuk ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar një fluks kaq të madh pacientësh dhe kësisoj edhe shërbimi i ofruar është i mangët.
Kamza edhe pse një qytet me popullsi mbi 100.000 banorë, nuk arrin të plotësojë kushtet e duhura për t‘u ofruar një shërbim cilësor qytetarëve. Pacientët e konsiderojnë të turpshme dhe skandaloze faktin se duhet të marrin serume në korridor pasi qendra shëndetësore s'ka kapacitet e duhura për virozat e stinës.