Eduart Lami mohon vrasjen e Lulzim Vishës, arma e tij e njëjtë me atë të autorëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 27.01.2025, 10:49

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Lulzim Vishës, e cila ndodhi tre ditë më parë në zonën e Zall Mnerit, Kamëz.

Mësohet se gëzhojat e gjetura në vendngjarje dhe brenda automjetit të viktimës përkojnë me armën që u gjet më vonë brenda automjetit "Porsche" të djegur në Zall Herr. Po ashtu, e njëjta lloj arme u gjet dhe gjatë kontrollit të banesës së Ervis Lamit, i cili është nën hetim për lidhje me ngjarjen.

Policia ka planifikuar të marrë ADN nga gëzhojat e gjetura në vendngjarje dhe në banesën e Lamit për të bërë krahasimin e mundshëm dhe për të sqaruar nëse arma e gjetur është përdorur në vrasjen e Vishës.

Kur është marrë në pyetje, një i afërm i Ervis Lamit ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë konflikt me familjen Visha dhe se, sipas tij, nuk ka pasur asnjë përplasje mes dy familjeve.

Aktualisht, Eduart dhe Ervis Lami janë akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje, ndonëse hetuesit janë duke shqyrtuar mundësinë e një konflikti të mëparshëm mes kushërinjve Lami dhe familjes Visha. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, dhe ende nuk ka një konkluzion të qartë lidhur me motivet e mundshme të vrasjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit