Firma LANi sh.p.k, e ish-deputetit socialist Vladimir Kosta, ka nisur ndërtimin e një kompleksi vilash dhe pallatesh në zonën e Saukut, por sipas denoncimeve të qytetarëve, kjo ndërtim po shkakton një ndotje të rëndë të mjedisit.
Sipas qytetarëve, ujërat e zeza të këtij kompleksi po derdhen në pronat private të qytetarëve, duke krijuar kushte shumë të dëmshme për shëndetin publik. Ky veprim ka shkaktuar ndotjen e tokës dhe ka rritur rrezikun për përhapjen e infeksioneve dhe sëmundjeve në zonë.
Banorët e zonës janë të shqetësuar për ndikimin negativ që kjo ndotje mund të ketë në jetën e tyre dhe kërkojnë masa të menjëhershme nga institucionet përkatëse. Ata bëjnë thirrje për ndërhyrjen e autoriteteve të mjedisit, shëndetësisë dhe ndërtimit për të marrë masa për ndalimin e hedhjes së ujrave të zeza dhe për të siguruar që ky projekt të përmbushë normat e duhura për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve.
Ish-deputeti i PS Vladimir Kosta, të cilit i mbeste hatri me mospërfilljet e Ramës, ka larguar mërzinë duke ndërtuar pallate e komplekse vilash të reja në Tiranë falë mbështetjes që merr nga Rama por edhe lejeve nga Veliaj. Në disa raste ai është përfshirë në afera të çuditshme të përfitimit të pronës shtetërore, por të qenurit ish-deputet ia ka lehtësuar këto probleme dhe krimi mjedisor që po bën në Sauk nuk i hyn fare në sy.
Denoncimi i qytetarit:
Firma LANi sh.p.k me pronar Vladimir Kosta po nderton nje kompleks vilash dhe pallate ne Sauk shikoni ku i hedh ujrat e zeza ne pronat e qytetareve dhe siperfaqen e tokes vater infeksionesh dhe semundjesh i bejme thirrje institucioneve perkatese te marrin masa per kete ndotje te tmerrshme qe po i ben lagjes dhe prones se qytetareve