Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka arritur në përfundimin se pandemia e COVID-19 "ka më shumë gjasa" të ketë dalë nga një laborator sesa të ketë origjinë natyrore, njoftoi një zëdhënës i agjencisë të shtunën.
Prej vitesh, CIA nuk ka arritur të japë një përfundim të qartë mbi origjinën e virusit. Megjithatë, në javët e fundit të administratës Biden, ish-drejtori i CIA-s, William Burns, kërkoi nga analistët dhe shkencëtarët e agjencisë një vlerësim të qartë, duke theksuar rëndësinë historike të pandemisë, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
CIA deklaron se ka "besim të ulët" në vlerësimin e saj, por beson se një "origjinë e lidhur me kërkimet shkencore është më e mundshme." Gjithashtu, theksohet se të dyja skenarët – ai i origjinës nga laboratori dhe ai i origjinës natyrore – mbeten të mundshëm.
Ambasada kineze në Uashington nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje. Ndërkohë, qeveria kineze ka deklaruar se mbështet dhe ka marrë pjesë në kërkimet për përcaktimin e origjinës së COVID-19, duke akuzuar Uashingtonin për politizimin e kësaj teme. Pekini ka mohuar pretendimet për një rrjedhje nga laboratori, duke i quajtur ato të pabazuara.
Në një intervistë të dhënë për Breitbart, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, pasi u konfirmua nga Senati i SHBA, deklaroi se një nga prioritetet e tij kryesore është që agjencia të japë një vlerësim publik mbi origjinën e pandemisë.
“Unë besoj se inteligjenca, shkenca dhe logjika e thjeshtë tregojnë se origjina e COVID-19 ishte një rrjedhje nga Instituti i Virologjisë në Wuhan,” tha ai.