Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se një ngjarje e rëndë ka ndodhur në spitalin e Lushnjës mbrëmjen e sotme, rreth orës 19:00, ku një fëmijë rreth 6 vjeç dyshohet se ka ndërruar jetë.
Sipas të njëjtave burime, fëmija kishte grip dhe ishte nisur me ambulancë drejt Tiranës, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Një nga dëshmitarët pretendon se ka pasur probleme gjatë transportit me ambulancë, duke përmendur mungesën e oksigjenit si një nga faktorët e mundshëm, megjithëse ky detaj mbetet i pakonfirmuar.
JOQ Albania u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë spitalin e Lushnjës dhe Ministrinë e Shëndetësisë, të sqarojnë këtë ngjarje të rëndë dhe të hedhin dritë mbi rrethanat e saj. Deri më tani, nuk ka një konfirmim zyrtar mbi pretendimet e ngritura, dhe asnjë detaj shtesë nuk është bërë i ditur nga spitali apo ministria e Shëndetësisë.
Përgjigja e institucioneve është thelbësore për të sqaruar nëse këto pretendime janë të sakta dhe për të garantuar transparencën ndaj publikut.
Shënim: Ky raportim bazohet në dëshmi të qytetarëve dhe nuk është i konfirmuar zyrtarisht. Për çdo informacion të mëtejshëm, JOQ Albania do të vijojë të raportojë.