Pamje shokuese vijnë nga SHBA ku një burrë ishte filmuar duke përdorur flakë-hedhëse për të zgjidhur telashet dimërore të ngrirjes së rrugëve në shtetin e Georgia.
Jesse Gentes tha se edhe herë të tjera ka preferuar të përdorë flakë-hedhësen për hapjen e disa segmenteve rrugore të zonës, në vend të qasjes tradicionale me kripë dhe zhavorr, shkruan rrjeti vendas WSBTV.
“Është një mënyrë e mirë. Këtë flakë-hedhëse e përdor zakonisht për barërat e këqija por hyn në punë dhe për detyra si këto,” tha Gentes për mediat, teksa lëshonte flakët e frikshme mbi asfalt.
Flakë-hedhëset janë mjete të ligjshme në SHBA dhe çuditërisht nuk konsiderohen si armatim i rrezikshëm.
Ai shtonte se kishte vendosur të merrte situatën në dorë kur makina e tij nisi të rrëshkiste në akullin e rrugës dhe të tjerë shoferë humbisnin kontrollin e mjeteve të tyre.
Edhe fqinja e tij Brooke Woodall tha se diçka duhej bërë për tharjen e rrugës. “Shumë makina mbetën të bllokuara mëngjesin e sotëm, një prej tyre u përplas”, shtoi ajo.
Zona është përfshirë nga një stuhi dimërore që ka sjellë dëdorë dhe temperatura nën zero. Policia tha se kishte pasur disa aksidente të vogla në zonë të shkaktuara nga moti, por pa pasoja serioze.