Më 24 janar, qytetarët kroatë iu përgjigjën masivisht thirrjes për bojkot të blerjeve në protestë ndaj rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë. Shitjet ranë me 47%, ndërsa numri i faturave të lëshuara deri në orën 11:00 ishte 40% më i ulët krahasuar me të njëjtën ditë të javës së kaluar, sipas Administratës Tatimore.
Protesta u organizua nga grupet e konsumatorëve, të cilët akuzojnë tregtarët për abuzime me çmimet. Në disa dyqane të Zagrebit, zakonisht të mbushura, u raportuan vetëm disa klientë gjatë ditës. Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, e cilësoi bojkotin si një mesazh të rëndësishëm dhe paralajmëroi masa për kufizimin e çmimeve.
Inflacioni në Kroaci, i nxitur nga tatimet e larta dhe reformat monetare, arriti nivelin më të lartë në Eurozonë, ndërsa qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të mashtruar.