Ndërkohë që Shqipëria po përjeton një bum ndërtimesh me kulla luksoze që dominojnë qytetet kryesore, 37.7% e shqiptarëve nuk arrijnë të ngrohin shtëpitë e tyre, sipas një raporti të Eurostat.
Ky është një rekord negativ në Europë, shumë më i lartë se mesatarja europiane prej 10.6%, duke e bërë Shqipërinë vendin me situatën më të rëndë në kontinent. Arsyet kryesore për këtë situatë janë mungesa e ngrohjes qendrore dhe kostot e larta të energjisë elektrike, që mbeten të papërballueshme për shumë familje.
Ndërkohë, vendet e rajonit, si Serbia (9.5%) dhe Mali i Zi (13.9%), kanë shifra dukshëm më të ulëta, edhe pse përballen me dimra më të ashpër. Edhe pse ndërtimet e reja po transformojnë qytetet, ato duket se nuk kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës për familjet shqiptare.
Përkundrazi, të dhënat historike tregojnë se kjo problematikë ka mbetur thuajse e pandryshuar prej vitesh, me treguesin që luhatet midis 35-37% gjatë periudhës 2017-2021. Kjo situatë vë në pikëpyetje prioritetet e zhvillimit urban në vend, ku rritja e luksit urban nuk po shoqërohet me përmirësime thelbësore në nevojat bazë të qytetarëve.