Itali/ Shqiptari nuk pranonte ndarjen nga partnerja, e përndiqte dhe e kishte dhunuar

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 24.01.2025, 16:34

Një 32-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane me akuzën e tentativës për vrasje dhe përndjekje ndaj ish-partneres së tij. Ngjarja ka ndodhur si pasojë e mospranimit të ndarjes nga ana e tij, duke e ndjekur gruan në rrugë me makinë.

Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur në zonën e Thebaid, ku i dyshuari ka goditur me makinën e tij automjetin e ish-partneres, duke e nxjerrë atë jashtë rruge. Gruaja ka pësuar lëndime serioze dhe është transportuar menjëherë në spitalin e Castellanetës për trajtim mjekësor. Ndërkohë, agresori është larguar nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndihmë viktimës.

Pas hetimeve, autoritetet italiane identifikuan dhe shpallën në kërkim të dyshuarin, ndërsa motivi kryesor i krimit dyshohet të jetë xhelozia dhe refuzimi për të pranuar ndarjen. Një ditë para incidentit, i akuzuari kishte ushtruar dhunë fizike ndaj ish-partneres dhe e kishte kërcënuar me jetë. Përveç kësaj, ai e kishte përndjekur vazhdimisht me telefonata dhe mesazhe, duke u përpjekur ta bindte për t'u ribashkuar.

Përballë refuzimit të saj, ai ndërmori një akt ekstrem, duke ndjekur makinën e ish-partneres dhe duke shkaktuar qëllimisht një aksident me synim vrasjen e saj. Karabinierët e Njësisë Operacionale në Massafra e arrestuan shqiptarin të enjten, teksa ai po përpiqej të arratisej pas ngjarjes.

Pas ndalimit, gjykata ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarin, i cili do të qëndrojë nën mbikëqyrje deri në përfundimin e hetimeve dhe procesit gjyqësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit