Një automjet i djegur, që dyshohet të jetë përdorur nga autorët e vrasjes së 48-vjeçarit Lulzim Visha, është zbuluar në Zall Herr. Në brendësi të automjetit, policia ka gjetur një armë zjarri, që dyshohet të jetë përdorur në krim. Automjeti, një “Porsche”, kishte targa të vjedhura që nga prilli i vitit 2023 në Kamëz.
Makina e djegur u zbulua gjatë një kontrolli në fshatin Zgafnor dhe është tashmë objekt i hetimeve intensive për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, viktima, Lulzim Visha, banues në Kamëz, u gjet i pajetë brenda automjetit të tij në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner.
Burime nga policia bëjnë me dije se viktima kishte pasur konflikte të mëparshme dhe se pista kryesore e hetimit lidhet me hasmëritë. Kujtojmë se vëllai i tij, Besnik Visha, ishte përfshirë në një ngjarje të rëndë në vitin 1997, kur vrau Refik Domin pranë Universitetit Bujqësor. Hetimet vazhdojnë për të hedhur dritë mbi ngjarjen e fundit dhe motivet e saj.