Arabia Saudite planifikon të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.01.2025, 22:18

Princi i kurorës Mohammed bin Salman deklaroi të enjten se Arabia Saudite synon të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë katër viteve të ardhshme. Këto komente u bënë pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili kishte përmendur shifrën si pjesë e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve gjatë mandatit të tij.

Vizita e parë e Trump në Arabinë Saudite në vitin 2017 thyeu traditën e presidentëve amerikanë, të cilët zakonisht e bënin udhëtimin e parë jashtë vendit në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo vizitë nënvizoi marrëdhëniet e ngushta të administratës së tij me liderët e shteteve të pasura me naftë në Gjirin Persik.

Agjencia shtetërore e lajmeve saudite raportoi të enjten se princi i kurorës, gjatë një telefonate me Trump, theksoi synimin e Arabisë Saudite për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me Shtetet e Bashkuara. "Princi i kurorës konfirmoi synimin e mbretërisë për të zgjeruar investimet dhe tregtinë me SHBA-në gjatë katër viteve të ardhshme në vlerën e 600 miliardë dollarëve, dhe ndoshta më shumë," thuhet në raportim.

Ndërkohë, Arabia Saudite vazhdon të mbështetet kryesisht te armët dhe sistemet mbrojtëse të prodhuara në SHBA, të cilat mund të përfshihen në këtë investim.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi gjithashtu telefonatën, duke thënë se dy liderët diskutuan përpjekjet për të sjellë stabilitet në Lindjen e Mesme, forcimin e sigurisë rajonale dhe luftën kundër terrorizmit. Përveç kësaj, u fol edhe për ambiciet ekonomike ndërkombëtare të mbretërisë dhe mundësitë për të rritur prosperitetin e ndërsjellë midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite.

Trump përmendi mundësinë e një vizite të re në mbretëri, duke kujtuar marrëveshjet e mëparshme për shitjen e armëve në vlerën e 450 miliardë dollarëve gjatë mandatit të tij të parë. Ai gjithashtu përmendi inflacionin duke thënë me humor se "mund ta rrisim shifrën në 500 miliardë dollarë."

Princi Mohammed vazhdon të shtyjë përpara projektin e tij ambicioz prej 500 miliardë dollarësh, NEOM, një qytet futuristik në shkretëtirën perëndimore të vendit, si dhe projektet për ndërtimin e stadiumeve dhe infrastrukturës për organizimin e Kupës së Botës FIFA 2034.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit