Të paktën 12 pasagjerë kanë humbur jetën të mërkurën kur u goditën nga një tjetër tren në perëndim të Indisë, kur ata dolën në panik nga vagonët e tyre nga frika e një zjarri.
Rrjeti vendas Press Trust of India tha se të paktën gjashtë të tjerë u plagosën në incidentin e rëndë në shtetin Maharastra në jugperëndim të Mumbai, që konsiderohet si kryeqyteti financiar i vendit.
Zëdhënësi i policisë Dattatraya Karale tha se viktimat kishin dalë në panik nga treni Pushpak Express, i cili ndaloi pasi dikush kishte tërhequr frenën e emergjencës.
Ata që zbritën u goditën nga një tren që tragjikisht kaloi në binarët ngjitur.
"Nga hetimet mësuam se kishte pasur shkëndija në trenin Pushpak Express ndoshta prej 'nxehjes së aksit' ose ‘fërkimit të frenave’ dhe disa pasagjerë u përfshinë nga paniku. Ata tërhoqën frenën dhe nisën të dilnin jashtë në binarë. Në të njëjtën kohë treni Karnataka Express po kalonte në binarët ngjitur," tha një përfaqësues i hekurudhave.
Megjithë përpjekjet e qeverisë indiane për përmirësimin e sigurisë së hekurudhave, qindra aksidente ndodhin çdo vit në sistemin gjigant hekurudhor të vendit.
Në vitin 2023, dy trena pasagjerësh u përplasën pasi dolën nga binarët në lindje të Indisë, duke vrarë më shumë se 280 njerëz e duke plagosur dhjetra të tjerë, në një nga aksidentet hekurudhore më vrasëse në botë.