Shkencëtarët u shprehën të emocionuar sot pas raportimeve se një hijenë e rrallë është parë në juglindje të Egjiptit, çka besohet se është hera e parë e kontaktit me kafshën në këtë zonë pas rreth 5,000 vjetësh.
Hijena ishte parë nga banorët e fshatit Wadi Yahmib, rreth 20 km larg kufirit Egjipt-Sudan, të cilët më pas e kishin kapur dhe vrarë kafshën, raporton rrjeti The New Arab.
Ekologu egjiptian Abdullah Nagy, i universiteti prestigjoz Al-Azhar tha për gazetarët se "nuk arrinte ta besonte kur pa fotot dhe videot e trupit të hijenës”.
"Mbeta i shokuar pasi është diçka përtej atyre që presim të gjenim në Egjipt”, tha ai, duke shtuar se kafsha vjen nga zonat jugore të Afrikës dhe mund të udhëtojë më shumë se 20 km në ditë.
Hijenat me pika përshkruhen si "me aftësi të mprehta përshtatjeje në habitate të ndryshme.
Ato jetojnë zakonisht në pyjet e savanës por gjenden dhe në shkretëtirë e zona me bimësi të ulët.
Zbulimi ka bërë studiuesit të besojnë se fenomenet e motit mund të kenë hapur një korridor migrimi për kafshën, duke bërë që hijena me pika të zhvendoset përtej zonave tipike të gjuetisë së saj.
Hijena shpesh ndjek lëvizjen e komuniteteve njerëzore që mbajnë kafshë bujqësore, por rrugëtimi i saj i gjatë deri në Egjipt mbetet ende një mister për studiuesit.