Nëna e 12-vjeçarit që ndërroi jetë në QSUT: Nuk iu bë asnjë eko për zemrën! Im bir u neglizhua

Shkruar nga: Selma Hilaj | Publikuar më: 23.01.2025, 13:48

Nëna e 12-vjeçarit Leo Sadiku, i cili ndërroi jetë në QSUT më 8 janar, ka akuzuar mjekët që u kujdesën për djalin e saj për neglizhencë, duke i cilësuar veprimet e tyre si shkak për pasojat fatale që çuan në vdekjen e të birit.

Në një gjendje të rënduar emocionale, Roveta Sadiku rrëfen se e kishte dërguar djalin fillimisht në Spitalin e Korçës më 28 dhjetor, ku pas marrjes së mjekimit, ai u kthye në shtëpi. Më 29 dhjetor, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij, ata u kthyen sërish në spital, ku pas disa vizitave, djali u shtrua. Sipas saj, Leo vuante nga dhimbje të vazhdueshme barku, diarre dhe të vjella.

Roveta kundërshton informacionin e dhënë nga Spitali i Korçës, duke deklaruar se djali i saj ishte nxjerrë nga spitali më 31 dhjetor, pa marrë trajtimin e duhur. Ajo kërkon drejtësi, duke akuzuar mjekët për trajtim të pamjaftueshëm. Nëna shpjegon se mjekët kishin siguruar familjen se gjendja e djalit do të përmirësohej, ndërsa ai vazhdonte të përjetonte dhimbje barku, temperaturë, kollë dhe diarre deri më 6 janar, të cilat u konsideruan si të zakonshme nga ana e tyre.

Në mëngjesin e datës 7 janar, rreth orës 4:30, gjendja e djalit u rëndua ndjeshëm dhe familja e çoi sërish në Spitalin e Korçës. Prej andej, Leo u dërgua në QSUT në Tiranë. Sipas nënës, gjatë qëndrimit në pavionin e endokrinologjisë për shtatë orë, djali nuk mori asnjë trajtim specifik, përveç serumesh.

Në lidhje me deklaratën e QSUT, ku thuhet se Leo mori të gjitha shërbimet e nevojshme, Roveta ngre dyshime duke pyetur nëse i është bërë djalit një eko e zemrës, një ekzaminim i domosdoshëm për diagnostikimin e miokarditit akut.

Ajo gjithashtu thekson se as policia dhe as prokuroria nuk kanë ndërmarrë hapa për të zbardhur rrethanat e vdekjes së djalit të saj, duke kërkuar hetim të plotë dhe drejtësi për rastin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit