Banorët e zonës së Yzbershtit në Tiranë kanë denoncuar në redaksinë e JOQ gjenden alarmante të ujit të rubinetëve të tyre që duket i kontaminuar me ujëra të zeza.
Në imazhet e dërguara nga qytetarët uji i rubinetit shihet me një ngjyrë të errët dhe sipas dëshmive mban erë ujerash të zeza, çka është një rrezik flagrant për shëndetin dhe e bën atë të papërdorshëm.
“Përshendetje! Joq, kjo eshte situata ne nje lagje ne Yzberisht, prej dites se djeshme uji i rubinetit eshte i ndotur dhe mban nje ere re rende fekalesh( ujra te zeza ). Nuk bejm dot asnje gje me të ne shtepi”, shkruan qytetari.
Gjendja aktuale e ujit të rubinetit është një përkeqësim i dukshëm i problemeve që Yzberishti dhe disa zona periferike kanë pasur me cilësinë e ujit në shtëpitë e tyre, megjithë premtimet e bashkisë së Tiranës për furnizim të plotë e cilësor.
Vetëm disa vjet më parë Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me UKT prezantuan një investim të BERZH për të dyfishuar kapacitetin e përpunimit dhe filtrimit të ujit në impiantin e Bovillës, por zotimet e tyre duket se kanë mbetur vetëm në letër.
Qytetarët e kësaj zone kërkojnë të drejtën e tyre legjitime për furnizim, pa u rrezikuar nga helmime apo sëmundje që sjell në shtëpitë e tyre uji i kontaminuar që ata denoncojnë.