Sipas një raporti të fundit të BE-së mbi gjendjen shëndetësore në Europë për vitin 2024, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të numrit të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë gjatë dekadave të fundit, sistemi shëndetësor europian po përballet me një krizë serioze të fuqisë punëtore.
Në vitin 2022, vetëm nga Shqipëria, Gjermania rekrutoi 465 infermierë, duke e renditur vendin tonë të tretin në rajon pas Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Çdo vit, qindra mjekë dhe infermierë largohen nga Shqipëria, të tërhequr nga kërkesa e lartë për këta profesionistë në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani. Raporti parashikon që kërkesa për mjekë dhe infermierë të huaj në vendet e BE-së do të vazhdojë të rritet në vitet e ardhshme.
Shumica e vendeve europiane po përballen me mungesa të mëdha në disa kategori të punonjësve shëndetësorë, të nxitura nga rritja e kërkesës për kujdes shëndetësor dhe reduktimi i orarit të punës nga disa profesionistë që kërkojnë një ekuilibër më të mirë punë-jetë. Këto mungesa pritet të përkeqësohen, pasi popullsia e moshuar po dyfishohet dhe një pjesë e madhe e punonjësve aktualë të shëndetësisë po afrohen drejt moshës së pensionit.
Statistikat tregojnë se përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç në BE pritet të rritet nga 23% në vitin 2023 në gati 30% deri në vitin 2050, duke rritur ndjeshëm kërkesën për shërbime shëndetësore. Ndërkohë, shumë profesionistë shëndetësorë janë afër moshës së pensionit, duke krijuar një boshllëk që kërkon një fluks të madh të profesionistëve të rinj për ta mbushur.
Një tjetër problem i evidentuar në raport është niveli i lartë i pakënaqësisë mes punonjësve aktualë të shëndetësisë, një situatë që është përkeqësuar nga pandemia COVID-19. Kjo ka ndikuar në uljen e interesit të të rinjve për karrierën në sektorin shëndetësor.
Për të adresuar këto sfida, raporti thekson nevojën për politika të shumëanshme dhe veprime urgjente. Ndër hapat e parë të propozuar janë përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja e shpërblimeve për punonjësit shëndetësorë, si dhe promovimi i karrierës në infermieri për të rritur numrin e aplikantëve në këtë fushë.
Një nga zgjidhjet që po aplikojnë shumë vende është rekrutimi i profesionistëve të huaj, por mbështetja e tepërt në këtë qasje po krijon dobësi në sistemet shëndetësore të vendeve të origjinës. Shqipëria është një ndër vendet më të rrezikuara, pasi shumë infermierë të trajnuar me fonde publike largohen për të punuar jashtë vendit, duke lënë boshllëqe në sistemin shëndetësor vendas.