Izmir Sakica dhe Samurel Troshani u dorëzuan ditën e sotme në Policinë e Shkodrës, duke sjellë një kthesë të re në hetimet për dhunimin e shtetasit Vladimir Bruçi dhe përfshirjen e tyre të dyshuar në atentatin e datës 30 tetor 2024.
Raportohet se Sakica dhe Troshani janë vetëdorëzuar në prani të avokatit të tyre mbrojtës, Sokol Tahiraj. Vetëdorëzimi vjen pasi dyshohen për dhunimin e Vladimir Bruçit, një incident që ndodhi në lagjen Rus të Shkodrës. Por, këta emra janë të lidhur edhe me një tjetër ngjarje të rëndë: atentatin në rrugën "Shkodër – Koplik", ku një breshëri plumbash automatiku u drejtua kundër automjetit të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.
Polici i cili qëndronte roje pranë hyrjes së komisariatit, kur dy të dyshuarit kryesorë për atentatin ndaj Hamza Licit dhe Arlind Bushatit u vetëdorëzuan, u pa duke i nderuar ata me një qëndrim që për disa u duk më shumë një shenjë respekti sesa një procedurë e zakonshme. Ky veprim ka ngritur shumë pikëpyetje mbi marrëdhënien mes policisë dhe elementëve kriminalë në qytetin e Shkodrës, një zonë e njohur për tensionet dhe përplasjet mes grupeve të organizuara. A është ky një komisariat policie apo seli për nderimin e krimit të organizuar?
Përkundër rëndësisë së akuzave, sjellja e disa pjesëtarëve të policisë, përfshirë dhe rojen në fjalë, ka dhënë përshtypjen se dyshuarit nuk trajtohen si të akuzuar të zakonshëm, por si persona me influencë të jashtëzakonshme.
Ndërsa Shkodra vazhdon të jetë e mbërthyer nga problemet e krimit të organizuar dhe mungesës së besimit në institucione, ngjarje si kjo tregojnë se rruga drejt rivendosjes së rendit dhe sigurisë mbetet e gjatë. Ky moment i paprecedent ka nxjerrë edhe një herë në pah sfidën madhore me të cilën përballen autoritetet shqiptare: ndarja përfundimtare e strukturave të shtetit nga ndikimi i krimit të organizuar.