Çështja e ujësjellësit të Himarës, që synon devijimin e ujit të lumit Shushica drejt bregdetit për të përmbushur nevojat e turizmit masiv, ka ngjallur rezistencë të ashpër nga banorët e zonës.
Prej më shumë se një viti, banorët e 36 fshatrave buzë lumit, të cilët varen nga ky burim për bujqësi, kanë kundërshtuar projektin, duke e çuar çështjen në gjykatë me mbështetjen e organizatave mjedisore "EcoAlbania" dhe "Res Publica". Ndërkohë që punimet ishin pezulluar pas protestave dhe një vendimi të Gjykatës Administrative, kompania ndërtuese i ka rinisur ato, duke zhvendosur tubat drejt territorit të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Ky projket rrezikon të thajë shtratin e lumit Shushica dhe të lerë pa ujë banorët e 36 fshatrave buzë lumit të Vlorës, të cilët angazhohen kryesisht në bujqësi.
Kryetari i fshatit Kuç, Astrit Balilaj, ka kërkuar publikisht që qeveria të ndalojë ndërhyrjen dhe të shqyrtojë alternativa të tjera për përmbushjen e nevojave ujore të Himarës. Aktualisht, projekti ka përfunduar instalimin e një pjese të tubacionit, por diga kryesore për devijimin e ujit ende nuk është ndërtuar.
“Është e papranueshme që pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm nga ana jonë si banorë të luginës së Shushicës, ky projekt të vijojë punënimet brenda Parkut Kombëtar të Vjosës. I bëjmë thirrje qeverisë të heqë dorë nga marrja e ujit të Shushicës për ujësjellësin e Himarës dhe të përdorë alternativa të tjera për realizimin e tij”, tha Astrit Balilaj, kryetar i fshatit Kuç.
Lumi Shushica, një degë kryesore e Vjosës që përshkon 82 kilometra dhe mbi 30 fshatra, ka qenë edhe më parë i kërcënuar nga planet për ndërtimin e katër hidrocentraleve, një betejë që banorët e fituan në vitin 2023. Ndërkohë, banorët dhe mbrojtësit e mjedisit mbeten të vendosur për të ndjekur çështjen në të gjitha instancat gjyqësore, duke theksuar se realizimi i këtij projekti do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e parkut dhe të burimeve natyrore.